Pa shume fjale, Tan Lamja i ka thene te gjitha qe mendoja. Nje korrigjim te vogel: ne 7 Prill 1939 Abaz Kupi & Co u kushtuan italianeve 400 te vrare e te plagosur ne portin e Durresit.
TRADITA E GJENERALEVE
Para tri ditësh Presidenti, me propozim të ministrit Oketa, shkarkoi nga detyra dy gjeneralë. Motivacioni, “për moskryerje të detyrës që çuan në ngjarjen e Gërdecit”. Çudi kjo punë. Në të gjithë botën dhe në të gjitha kohërat, gjenerali ose pushkatohet po gaboi në luftë, ose shkon në burg po gaboi në paqe, por në shpi në asnjë rast. Po siç duket, ky qe pazari i radhës, ne po ju çojmë në shpi që t‘ja shkarkojmë dikujt përgjegjësinë, ju do shkoni urtë butë e pa llafe. Dhe siç ka qenë tradita e gjeneralëve tanë në këta 90 vjet e kusur të ushtrisë sonë, edhe kësaj radhe ata nuk na zhgënjyen: ulën veshët dhe u bindën.
Ashtu siç u bindën në prill të ‘39-ës, kur oficerët ulën veshët dhe shkuan në shpi pa e shkrepur asnjë herë. Ashtu siç i ulën veshët kur ia dorëzuan Shqipërinë komunizmit më ‘44-ën. Ashtu siç u dorëzuan pa kushte sa herë deshi politika gjatë 40 vjetëve, duke çuar në litar njëri-tjetrin dhe shoku shokun, në lojën makabre që luajti me ta Enver Hoxha. Ashtu siç u dorëzuan pa çak pa bamp më ‘97-ën. Ashtu edhe kësaj radhe më 2008-ën, mjaftoi që djaloshi Oketa t‘u thoshte “marrsh në shpi” dhe ata të ulnin veshët dhe pa bërë as gëk as mëk, të dorëzojnë yjet e spaletave që, me ç‘duket, i kanë marrë pa i merituar qëkurse i dorëzuan me një frymë. Gjithmonë do të jenë në gjendje të gjejnë një justifikim, siç gjetën më 39-ën kur thanë jo po na kishin humbur shulat e dyfekëve, jo po nuk gjenim gjilpërat e topave; ashtu siç u justifikuan më 97-ën, jo po nuk deshëm të bëhej masakër (e cila masakër, ndodhi pikërisht se ata nuk bënë detyrën), jo po na detyroi politika.
Edhe kësaj radhe i vetmi preokupim i kastës sonë të ushtarakëve është të gjejnë sebepe, jo po nuk e dinim, jo po nuk flisnim dot, jo po na hiqnin nga puna, e kushedi çdo thonë tjetër. Atëherë, kur s‘jeni në gjendje t‘i ktheni llafin një politikani, pse i pranoni yjet në spaleta; kur nuk jua mban të kryeni detyrën, pse pranoni të bëni betimin ushtarak; kur ju vënë përpara si dhëntë, pse e mbani në brez atë të shkretë kobure?
Edhe kësaj radhe ushtarakët shqiptarë nuk na zhgënjyen. I ndënjën besnikë traditës tashmë gati shekullore që t‘ia mbathin me sukses.